Pasi prezantoi planin e fitores parlamentit ukrainas, presidenti Volodimir Zelenksi e paraqiti edhe para Bashkimit Evropian. Ai kërkoi që Kievit t’i bëhet ftesa për t’u anëtarësuar në NATO.

“Putin thjesht duhet të shohë se llogaritjet e tij gjeopolitike janë të pavlera. Një ftesë për anëtarësim tani nuk do të ketë kosto politike, është një vendim i fortë që nuk kërkon asgjë tjetër veçse vendosmëri.”

Në samitin e mbajtur në Bruksel, Zelenski bëri thirrje gjithashtu për rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Një propozim që nuk është mbështetur është për të goditur me armë me rreze të gjatë veprimi thellë brenda Rusisë. Zelensky zotohet se nëse plani i tij pranohet, lufta do të përfundonte së shpejti.

“Nëse fillojmë tani dhe ndjekim Planin e Fitores, mund ta përfundojmë këtë luftë jo më vonë se vitin e ardhshëm. Mendoj se është kaq e rëndësishme të kemi unitet në vendin tonë. Qëllimi i Planit është që ai të forcojë jo vetëm Ukrainën, por edhe të gjithë komunitetin”.

Plani i Fitores së Zelenskit vjen në një kohë kritike, ndërsa forcat e Moskës përparojnë në lindje dhe Kievin e pret një dimër i vështirë për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike si pasojë e sulmeve.

Klan News