Dyndje në rrugë në të gjithë vendin
Durrësi vijon të mbetet ende në zonën e kuqe, megjithatë kjo e hënë ka hapur dyert në klinikat dentare, qendrat tregtare, berberët dhe sallonet e bukurisë nën masa strikte të higjienës.
Rregullat e reja janë edhe kosto financiare. Gjithsesi për shumë qytetarë rikthimi në normalitet është i domosdoshëm.
Edhe pse lejohet qarkullimi deri në orën 21:00, në qytetin e Lushnjes mëngjesi ka qënë mjaft i zhurmshëm. Bizneset industriale në qendrën tregtare nisën aktivitetin dhe njerëz të shumtë vërshuan për të bërë blerjet, pa ruajtur distancën fizike dhe të papajisur me maska.
Pas dy muaj karantinë, në zonën e gjelbër është përfshirë edhe Elbasani. Qytetarët thonë se i kanë pritur me padurim lehtësimet për të lënë karantinën. Dhe nga padurimi, duket se masat mbrojtëse kanë filluar të neglizhohen
E njëjta situatë paraqitet edhe në Korçë. Me fluks të shtuar të lëvizjes së mjeteve, qytetarëve dhe të moshuarve, të cilët qëndrojnë në grupe, pa respektuar distancën.
Gjatë paradites një grup tregëtarësh të tregut industrial, i cili ende nuk është hapur, kanë protestuar të grumbulluar pranë njëri-tjetrit dhe pa maska.
Në Vlorë policia e ka problemin me bregun. Mjafton që dikush të hyjë në det dhe menjëherë policët afrohen për t’i larguar. Urdhrat janë strikte për policët që e kanë marrë seriozisht detyrën e rrallë dhe nuk bëjnë dallime as për të huajt.
Tv Klan