Babë e bir kanë mbetur të plagosur me thikë këtë të martë në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Autor i dyshuar i kësaj ngjarje është një 26-vjeçar i cili është vënë në pranga.

“Rreth orës 20:40, në lagjen “Mark Lula”, Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta janë dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasit Sh. L., 52 vjeç dhe E. L., 19 vjeç (babë e bir), të cilët u dërguan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, i autorit të dyshuar, shtetasit A. M., 26 vjeç, banues në Shkodër”, njoftoi policia.

Po ashtu mësohet se është sekuestruar edhe thika që është përdorur në krim. Grupi hetimor po vijon punën për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje./tvklan.al