Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, në një reagim të gjatë i është përgjigjur akuzave të kreut të opozitës Sali Berisha, ndaj bashkëshortes së tij dhe hetimit të SPAK.
“Në mëngjesin e 6 Dhjetorit bashkëshortja ime, e gjendur në shtëpi vetëm me djalin tonë, më telefonon pasi grupi i prokurorisë së posaçme kishte trokitur në derën e apartametit tonë. Natyrisht, ndamë pa asnjë ngurrim bindjen se duhet të ishim plotësisht transparentë me trokitësit tanë. Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh. Bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve.”
Duke goditur kundërshtarët politik dhe opozitën Velija shkruan se atij nuk i janë gjetur pasuri të pajustifikuara.
“As jetoj në vila të pajustifikuara, as kam apartamente të padeklaruara, si hienat dhe plot nga korbat që më sulmojnë nga dita e parë e kësaj detyre. Nuk kemi as llogari në Qipro apo kudoqoftë tjetër, dhe as transferta të majme dhe të padeklaruara për ndërhyrje estetike, si po këta që, kur i kap SPAK-u është Skap, ndërsa kur duan të linçojnë të tjerët në publik është SPAK. Ah po, nuk kemi as para të padeklaruara dhe as taksa të papaguara nga të ardhurat tona, si shumë prej korbave të tyre.”
Veliaj bëri dhe një paralalizëm se si mazhoranca dhe opozita trajtojnë organet e drejtësisë.
“Ne i trajtojmë institucionet e drejtësisë si kolegë dhe shtetarë, opozita i konsideron banditë dhe tradhtarë. Ky është edhe dallimi i madh fare, që mua më bën të ndjehem shumë mirë përpara atyre që më kanë besuar dhe më kanë mbështetur në tërë këto vite, që nga Edi Rama i pari, te shokët e forumeve të partisë, dhe qytetarët e Tiranës, që sot jetojnë në një qytet europian, në një metropol nga më të rëndësishmit e rajonit. Për mua SPAK-u është institucion kushtetues i vendit tim dhe unë jam totalisht në dispozicion të hetimit, i bindur se, në fund, e vërteta do të triumfojë.”
Në fund të deklaratës së tij kreu i bashkisë së Tiranës, tha se është shpresëplotë në profesionalizmin dhe pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Klan News