Shqipërinë, nga Janari në Korrik të këtij viti, e kanë vizituar 1.2 milionë turistë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.
Kryeministri zgjodhi të ketë ekskluzivitetin e të dhënave të publikuara për herë të parë e që flasin për 6.3 milionë turistë që kanë vizituar Shqipërinë për 7 muajt e parë.
Listën e kryesojnë shtetasin kosovarë sipas këtyre të dhënave, me 2.4 milionë, edhe pse ka pasur një debat për bojkotim të pushuesve nga Kosova të bregdetit shqiptar.
Edhe pse sezoni turistik veror mund të konsiderohet ende shumë larg përfundimit, Kryeministri e ka parë të udhës të bëjë analizën e të mirave dhe të këqijave dhe mbi të gjitha sfidave që ka përballe Shqipëria turistike 2030.
Si pikë të parë dhe të fundit në 7 konkluzionet e tij, Rama rendit argumentin se bashkë me numrin e turistëve është rritur dhe numri i dezinformimit për atë që të ofron turizmi në vend.
“Shqipëria Turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi, bashkë me nevojat e padiskutueshme, pritshmëritë e natyrshme, pretendimet e mirëkuptueshme, kritikat e pashmangshme apo edhe sulmet që i bëhen nga burime të llojllojshme keqinformimi apo dizinformimi.
Edhe keqinformimi e dizinformimi kanë pasur rritjen e tyre në çdo drejtim, falë shpejtësisë marramendëse të gënjeshtrës në kohën që jeton bota e sotme e kanaleve, portaleve e socialeve, por ashtu siç dielli nuk mbulohet dot me shoshë, as e vërteta e këtij vendi që bëhet më i mirë, më tërheqës, më i sigurtë në rrugën drejt majës së #SHQIPËRISË2030 nuk zhbëhet dot nga askush”.
Kryeministri pranon se ndarja e hapësirave publike dhe atyre private në plazhe është një çështje qe kërkon zgjidhje.
“Ndër të gjitha pritshmëritë, më e padiskutueshmja është rishikimi i mëtejshëm i formulës së administrimit të plazheve, ku më mbizotëruesja është nevoja jo vetëm për më shumë hapësira publike, po edhe për një shfrytëzim shumë më të përgjegjshëm të hapësirave të administruara nga subjektet private”.
Ndërsa sa i takon çmimeve në restorante dhe bare që këtë vit rezultuan abuzive kryesisht në bregdetin jonian, lajmëron se do të ketë një ndërhyrje nga autoritetet për ta bërë të detyrueshme afishimin e tyre në hyrje të çdonjërit prej tyre.
“Ka pasur eksese kundërproduktive me çmimet në zona të caktuara, përkatësisht Vlorë e Sarandë, ku është regjistruar krahasuar me vjet edhe rritja më e lartë e numrit të bizneseve restorant/bar, me rreth 40% njësi të reja, ndërsa rritja e tyre në shkallë vendi është 37%.
Por, ndërkohë që xhiroja në të gjithë pjesën tjetër të vendit është rritur me afro 40%, në këto zona ajo është rritur me më pak se 20%, pikërisht edhe si pasojë e rritjes eksesive të çmimeve në fillim të pikut të sezonit, të cilat u korrektuan pjesërisht duke nisur nga gjysma e dytë e korrikut – një mësim për të mos u harruar nga operatorët në tregun e lirë, të cilëve nga sezoni i ardhshëm do t’u imponohet afishimi i çmimeve në hyrje të çdo lokali”.
Një tjetër sfidë është pastërtia e infrastruktura, ndërsa rendit si lajm pozitivrritjen e lartë të numrit të vizitorëve në zonat malore por dhe në zonat jobregdetare ku kryeson kryeqyteti.
Tv Klan