Ndëshkohen funksionarët e BDI-së për mosrespektim të masave

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut raportojnë për situatë stabile epidemiologjike në vend dhe për ulje të presioneve ndaj sistemit shëndetësor. Gjatë ditës raportohet për 766 pacientë të shtruar nëpër covid-spitale. Sa për ilustrim para disa ditëve ky numër ishte mbi 1.000.

Përkundër situatës stabile, autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë filluar një fushatë për shqiptimin e dënimeve dhe gjobave për të gjithë ata që nuk respektojnë masat anti-covid që janë në fuqi.

Nuk janë kursyer as edhe funksionarët më të lartë të BDI-së, të cilët më 29 Dhjetor, në ambientet e reja të Ministrisë për Sistem Politik kishin kremtuar ditëlindjen e liderit Ali Ahmeti, por që kishin anashkaluar protokollet mbrojtëse. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, ishte i prerë, të gjithë do të dënohen.

“Janë dënuar të gjithë ata që ishin në atë tavolinë. Nëse bëhet fjalë për Kryetarë partish, deputetë apo ministra dhe kur flasim për shqiptimin e dënimeve të funksionarëve shtetëror, të paktën ndaj meje ose kësaj udhëheqësie të MPB-së nuk mund të keni vërejtje. Nga Kryeministri, Zv/Kryeministri – një për një deri më tani kanë dënime për shkak se kanë bërë shkelje që duhet të sanksionohen”.

Ndërkohë, pas Festës së Krishtlindjes, mjekët të cilët tashmë një kohë të gjatë janë në vijën e parë të betejës anti-covid, kanë ngritur shqetësime për mosrespektimin e masave të besimtarëve dhe priftërinjve gjatë ceremonive fetare.

Tubimet, distanca, puthja e ikonës dhe shfrytëzimi i një luge për rritet fetare, kanë qenë vërejtjet kryesore të mjekëve, të cilët thonë se pasojat do të shihen pas 2 javësh, me rritjen e numrit të infektimeve të reja.

Klan Macedonia