Aldo Bumçi: “Sot Komisioni i Integrimit të Parlamentit të Shqipërisë mori në shqyrtim rezolutën në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave, që do të miratohet ditën e enjte. Ne prisnim që deputetët e opozitës, të cilët kanë ardhur në Kuvend, kanë depozituar dhe emrat për komisionet përkatëse të vijnë në Komisionin e Integrimit, të merrnin kryesinë e këtij komisioni, siç është rënë dakord me opozitën dhe të bëheshin pjesë e kësaj rezolute. Pavarësisht nga ky fakt që nuk erdhën sot në shqyrtimin e rezolutës, ne i bëjmë thirrje, ne ftojmë opozitën që të jetë e pranishme ditën e enjte në seancë plenare, ku do miratohet rezoluta për procesin e liberalizimit të vizave, duke treguar që është në përkrahje të këtij procesi jetik për qytetarët shqiptarë. Jam i bindur që duke bërë këtë, duke ndërmarrë këtë akt ditën e enjte, nuk do të bëjë asgjë tjetër, përveçse do të përmbushë vullnetin e dhjetëra-mijëra anëtarëve të Partisë Socialiste, e dhjetëra mijëra votuesve të Partisë Socialiste”./tvklan.al