Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pas Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut dhe aleatët e tjerë të PS, ankohen se nuk janë zbatuar pikat e marrëveshjes me partinë në pushtet për bashkëqeverisje në nivele të dyta, apo të treta.
Neritan Ceka:- “Kemi një zv/ministër mangët, kemi një prefekt, kemi disa drejtor nëpër rrethe. Unë mendoj se është bërë një hap në drejtimin e duhur me krijimin e tryezës së sekretarëve të përgjithshëm, që besoj që do të synojë që ky koalicion të mos mbetet vetëm në majë, por të shtrihet edhe në bazë edhe në kuptimin, që ky është një vit që parapërgatit zgjedhjet e vitit të ardhshëm”.
Paskal Milo:- “Deri tani nuk është konkretizuar asgjë. Mbi një muaj më parë me shkrim, i kemi dërguar me porosi të zotit Nano, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë, kërkesat tona, pra ato ndodhen atje dhe që nga ajo kohë dhe deri më sot nuk ka asnjë reagim, ndërkohë që po shohim, që ndaj një anëtari të veçantë të koalicionit, ka një preferencë të spikatur dhe oferta për joshje, ose nënshtrim para kërkesave ultimative, ndërkohë që ka një mungesë vlerësimi, që nuk e kuptojmë se nga rrjedh dhe cilat janë arsyet”.
Kjo pakënaqësi sinjalizon një krisje të mundshme të koalicionit për integrim në të ardhmen./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj