Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi shembjen e urës Morandi në qytetin italian të Xhenovas, por disa shpjegime janë diskutuar.

Ura e autostradës prej 1.2 km (0.8 milje) përfundoi në vitin 1967 dhe përfshin dhjetra linja hekurudhore, si dhe një zonë industriale që strehon disa fabrika.

Normalisht, një urë projektohet që të rezistojë të paktën 100 vjet.

 “Një urë e madhë si kjo ka nevojë për inspektim dhe mirëmbajtje të rregullt nga inxhinierë të kualifikuar. Kjo urë ka dashur shumë mirëmbajtje”

, thotë Ian Firth, kryetar i Institutit të Inxhinierëve Strukturorë në Mbretërinë e Bashkuar dhe një inxhinier strukturor i specializuar në ura .

 “Disa ndërhyrje me qëllim mirëmbajtjen duket se janë bërë në atë kohë, por nuk i dimë detajet kështu që nuk është e mundur të thuhet nëse kjo mund të ketë qenë një faktor që shkaktoi shembjen”

, tha ai për BBC.

Operatori i autostradës tha se puna për të mbështetur themelin e urës ishte duke u kryer në kohën kur u shemb dhe po monitorohej vazhdimisht.

Raportohet gjithashtu se në vitin 2016 ura është rikonstruktuar.

Mungesa e mirëmbajtjes ndonjëherë mund të jetë faktor në shembjen e urës.

 “Në historinë e trishtë të shembjeve të urave, mirëmbajtja ka qenë një faktor, sidodomos nëse ajo është planifikuar ose zbatuar keq”

, thotë Firth.

“Puna e mirëmbajtjes shpesh ka të bëjë me parandalimin e degradimit dhe fuqizimi që i është dhënë urës kohët e fundit me siguri ka pasur të bëjë me degradimin”.

Një gabim në projektimin e urës?

Shpenzimet e vazhdueshme të mirëmbajtjes tregojnë se mund të ishte më ekonomike për ta rindërtuar atë, sipas Antonio Brencich, një inxhinier strukturor i cili jep mësim në Universitetin e Xhenovës.

“Menjëherë, ura shfaqi probleme të ndryshme, përtej kostove të ndërtimit, të cilat shkuan mbi buxhetin”,

 shkroi ai në 2016, në komentet e publikuara në mediat italiane.

“Në këtë urë ka gabime, herët a vonë, do të duhet të zëvendësohet. Nuk e di kur,”

paralajmëroi ai.

Këto probleme u korrigjuan më vonë, shtoi ai.

Në vitet 1990, disa riparime të mëdha u bënë në urë.

Brencich tha se projektuesi, Riccardo Morandi, nuk e kishte llogaritur mirë në sa dekada mund të rezistonte betoni.

“Ai ishte një inxhinier i zoti, por nuk bënte dot llogari praktike”.

Ura Morandi është shumë e ngjashme me urën e Liqenit Maracaibo në Venezuelë, të cilat të dyja u projektuan nga Z. Morandi.

Kjo urë

“gjithashtu ka pasur probleme gjatë kësaj kohe, kështu që një dizenjim i tillë kishte nevojë për më shumë sesa një mirëmbajtje normale

”, thotë Ian Firth.

Por ai shton:

“Ende nuk ka dëshmi për të thënë nëse ka ndodhur për këtë arsye, është shumë herët të thuhet se çfarë ka shkaktuar rënien”.

Trafik i rënduar?

Degradimi mund të jetë gjithashtu i shkaktuar nga trafiku i rënduar në urë, e cila mbante rreth 25 milionë automjete çdo vit.

Një raport i vitit 2011 nga kompania italiane

Autostrade per l’Italia

tha se ura kishte vuajtur nga degradimi.

“Rradhët e automjeteve dhe trafiku provokojnë një degradim intensiv të strukturës së urës në përditshmëri në orët e pikut”

, tha raporti, cituar nga agjencia italiane e lajmeve ANSA.

“Shembja  mund të ketë qenë e ndikuar nga pasojat e rritjes së trafikut të rëndë. Ishte shumë e përdorur, nuk ka dyshim për këtë,”

thotë zoti Firth.

Por ura mund të ketë pësuar gjithashtu rënie të dukshme të investimeve në infrastrukturën e vendit, e cila mbetet prapa ekonomive të tjera në Evropën Perëndimore.

Ekspertët e inxhinierisë të gjithë bien dakord se në fund, vetëm një hetim i plotë specialist do të jetë në gjendje të përcaktojë shkaqet e vërteta të shembjes.

Burimi: BBC 

Përshtati: tvklan.al