Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia e shtetit ka realizuar analizën e punës për vitin 2002, duke parashtruar dhe planin e punës për vitin që sapo filloi. Në prani edhe të Avokatit të Popullit Dobjani, kreut të SHISH Hysenaj, kryeprokurorit Sollaku dhe kreut të komisionit parlamentar për rendin Ceka. Ka qenë drejtori i policisë së shtetit, kolonel Bajram Ibraj, që ka mbajtur raportin e punës për vitin 2002.

Gjatë muajve të vitit që sapo përfundoi, janë kryer 1446 krime kundër personit, ndër to 170 vrasje. Rritje në krahasim me një vit më parë ka pasur krimi ekonomik, ndërsa viti 2002 do të mbahet mend si viti i mbylljes së trafikut ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Por Ibraj ka njohur disa aspekte negative të punës së policisë së shtetit.

Kolonel Bajram Ibraj:- “Grupet kriminale të përfshira në krimin e organizuar ndërkombëtar kanë marrë vetëm goditjet e para, por përsëri mbeten aktivë dhe kërcënues për demokracinë shqiptare. Trafiku i drogës, vazhdon të jetë në nivele shqetësuese, ndërsa kontrabanda tenton të asfiksojë biznesin e ligjshëm”.

Në analizë Avokati i Popullit Dobjani, ka kujtuar drejtuesit e policisë, se ky vit ka shënuar mbi 200 ankesa të qytetarëve në marrëdhënie me efektivët blu dhe 40% e rasteve përbëjnë shkelje të të drejtave të qytetarëve.

Ermir Dobjani:- “Sa mirë më erdhi për vitin 2002, aq kesh besoj u erdhi të gjithëve këtu, për atë dhuratë shumë të keqe që policia e Korçës i bëri qysh në datën 3 policisë dhe imazhit të vendit tonë, për rastin e fundit, i cili pavarësisht se është në hetim dhe do të zbardhet deri në fund, unë mendoj që duhet rishikuar nga ana juaj”.

Kryeprokurori Sollaku ka apeluar në lidhje me kompetencat dhe rolin e policisë gjyqësore. Në funksionimin e kësaj të fundit është ndalur më gjatë edhe vetë ministri Rama, i cili ka konstatuar si strukturat më të dobëta në rend, pikërisht policinë gjyqësore dhe policinë rrugore.

Luan Rama:- “Ç’është kjo pjesë e rëndësishme e policisë së shtetit? Sa çështje kanë dështuar në gjykatë për shkak të mungesës së profesionalizmit të kësaj strukture, në administrimin e vendit të ngjarjes apo të provave? Sa kemi qenë ne të përgatitur bashkë me prokurorinë për të shkuar në gjykatë me të tëra provat e administruara në mënyrë korrekte, që mbi bazën e dështimeve të ndodhura të bëjmë analizën dhe të kryejmë operacionin e nevojshëm, që të dimë ku duhet të ndërhyjmë për ta përmirësuar këtë strukturë”.

Duhen shkundur zyrat nga persona që nuk dinë detyrat e tyre, ka paralajmëruar Rama ndryshime të vazhdueshme në strukturën e policisë. Në fund, ministri ka shpallur dhe synimin, që viti që vjen të jetë edhe viti i operacionit dhe goditjes së trafikut dhe kultivimit të drogës./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj