Marcelo e ka mbyllur me futbollin e luajtur. Legjenda braziliane, ka varur këpucët në gozhdë në moshën 36-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Marcelo, nëpërmjet një video në rrjetet sociale.

“Dashuria ime për futbollin vjen nga gjyshi. Ai dëshironte të bëhesha futbollist profesionist dhe bëra gjithçka për ta bërë të mundur. Kur isha 18-vjeç, Real Madrid më kërkoi dhe lëviza. Mund të them se jam një madrilen i vërtetë”, u shpreh ai.

Mbrojtësi i majtë, një nga më të mirët në historinë e futbollit, luajti 58 ndeshje me fanellën e Brazilit.

Marcelo iu bashkua Real Madrid në vitin 2007 në moshën 18-vjeçare dhe qëndroi aty për 15 vite.

Ai u largua nga Madridi në fund të sezonit 2021-22 për t’u bashkuar me skuadrën greke Olympiacos, por e ndërpreu kontratën e tij pas vetëm pesë muajsh.

Marcelo iu bashkua sërish klubit të fëmijërisë Fluminense në vitin 2023 dhe kaloi dy sezone në klub, ku regjistroi 68 paraqitje.

Mbrojtësi u largua nga skuadra braziliane në Nëntorin e vitit të kaluar, pas përplasjeve me trajnerin Mano Menezes. /tvklan.al