Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Anëtarë të Partisë Socialiste dhe deputetë të saj janë ndarë në mendime, në duhet të kenë ndryshime në qeveri dhe kryesi apo jo. Gjatë mbledhjes rutinë të grupit parlamentar, një pjesë janë shprehur, se mund të bëhen ndryshime të tjera në drejtimin e kupolës rozë. Ndërsa një pjesë deputetësh mendojnë se anëtarët duhet ta konsumojnë deri në fund mandatin e tyre.
Një prej anëtareve të përfolura dhe të akuzuara nga kryeredaktori i “Zërit të Popullit” Erion Braçe, anëtare e kryesisë dhe deputete Arta Dade përgjigjet:
Arta Dade: “Tani normalisht unë nuk dua të merrem me individë të caktuar, që i kanë kapur ethet e rikandidimit për deputet, Erion Braçes do t’i them, të tërhiqet, se kur të jem unë e deleguar e kryesisë në Qarkun e Beratit ku ai është deputet, ndoshta do të futet në listë për t’u rikandiduar. Nuk dua të merrem me lojërat e ulëta politike brenda PS, sepse këto duhet të marrin fund, madje ne duhet të tërheqim konkluzionet edhe nga ajo që ndodhi me krijimin e LSI dhe me largimin e 10 deputetëve dhe na takon që me seriozitet të vlerësojmë situatat e krijuara. Përsa i përket ndryshimeve në qeveri është autoriteti vetëm i kryeministrit që të vlerësojë punën e ministrave dhe unë do të mbështesja ndonjë ndryshim, që nuk prek thelbin e qeverisjes”.
Për deputetin Çukaj, nëse kërkohen ndryshime, ato duhen bërë, por duke i shërbyer për mirë së majtës.
Lekë Çukaj: “Gjithmonë çdo forcë politike, jo vetëm PS, ka nevojë është në ndryshim është në kërkim dhe gjithmonë është i pëlqyer ndryshimi. Unë jam edhe parimisht edhe për një gjë tjetër, sa herë që të jepet mundësia për t’u votëbesuar në çdo aspekt, do të ishte gjë e mirë”.
Stefan Çipa: “Për mua riparja e kryesisë është e parakohshme, sepse tani s’është mbushur viti që ne kemi bërë kongresin e partisë”.
Nazmi Bilani: “Ndryshimet më shumë përpara opinionit publik janë të domosdoshme në kryesi, por paralelisht me këtë edhe në qeveri, jo thjeshtë për të zënë vendin e atyre që ikin”.
Shumica e anëtarëve socialistë pranojnë nevojën e një imazhi të ri në parti, por nuk dëshirojnë të hidhen poshtë figurat që cilësohen të konsumuara./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti