Merkato e kësaj vere mund të sjell divorcin mes Antoine Griezmann dhe Atleticos së Madridit. Hajmalia e “Los Colcheoneres” prej vitesh tashmë është gati për të bërë një hap tjetër në karrierën e tij.
Dihet se ëndrra e Griezmann është të përfundojë aventurën në fushën e lojës në MLS. Kjo ambicie mund të bëhet realitet më shpejt se sa pritej, pasi L’Equipe ka raportuar se 33-vjeçari ka marrë një propozim joshës nga klubi i Los Angeles që në përbërje ka edhe dy francezët, Hugo Lloris dhe Olivier Giroud.
Drejtuesit e klubit amerikan kanë pasur takime kokë më kokë me personat e afërt me sulmuesin. Te Los Angeles janë gati ta presin edhe në vitin 2025 nëse nuk marrin dritën jeshile për të finalizuar operacionin gjatë kësaj merkato vere.
Klauzola është e ulët për të garantuar shërbimet e Griezmann vetëm 10 milionë Euro, ndërsa kontrata e ofruar do ta bënte atë lojtarin e dytë më të paguar në MLS, pas ish-bashkëlojtarit te Barcelona, Lionel Messi.
Atletico e Madridit është drejt një revolucioni të vërtetë në repartin e sulmit, pasi në këtë merkato vere kanë humbur edhe shërbimet e Memphis Depay dhe Alvaro Morata. Griezmann ka një kontratë me spanjollët deri në verën e vitit 2026, teksa në karrierën e tij ka shënuar 268 gola.
Klan News