Ky është momenti kur agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorisë Hetimore ndaluan makinën e ish – Presidentit të Republikës dhe ish – kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta dhe i komunikuan se ndaj tij kishte një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK dhe të miratuar nga Gjykata e Posaçme.

Ishte ora 13:00 kur mjeti i tij u bllokua në afërsi të kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës, teksa Meta po kthehej nga Kosova dhe ishte drejtuar në selinë e Partisë së Lirisë për të mbajtur një konferencë për shtyp.

Kryetari i Partisë së Lirisë u zbrit me forcë nga agjentët që e kishin mbajtur nën vëzhgim, pasi refuzoi t’u bindej.

Pak minuta pas arrestimit, Meta u fut në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe doli prej aty rreth ores 15:00 t’u transportuar me furgon drejt Bllokut të Sigurisë ku do të pres daljen përballë Gjykatës së Posaçme.

Për afro 2 orë ish-kreut te shtetit iu komunikua masa e sigurisë dhe akuzat e korrupsionit në tre raste gjatë ushtrimit të detyrës, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Bashkë me Metën, nën hetim me masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur” u vendos edhe ish -bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi.

E njëjta masë u dha për shtetasen Ema Çoku, ndërsa shtetasi Pirro Xhixho, ish-kryetar i komanduar i AKEP, u la në “arrest në shtëpi”.

Këto masa janë rezultat i dy hetimeve të SPAK, asaj të njohur si afera CEZ – DIA dhe dosjes së lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA e disa ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera nga Meta e Kryemadhi.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bën të ditur se Meta është korruptuar për lidhjen e kontratës CEZ-DIA, në mënyrë që të lidhej me këtë të fundit edhe pse nuk plotësonte kushtet.

“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Ilir Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga zoti Kastriot Ismailaj, gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve”.

Gjithashtu SPAK thotë se LSI, forca politike që drejtohej nga Meta, ka fshehur paratë e lobimit në SHBA gjatë viteve 2016-2017.

“Shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të  forcës politike  nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve”.

SPAK rendit në komunikimin e tij zyrtar edhe 3 episode të tjera korruptive dhe të mosdeklarimit të pasurive nga Kryemadhi e Meta.

Me përmbylljen e hetimeve paraprake, SPAK iu drejtua me masa sigurimi gjykatës, e cila të dielën i konfirmoi ato. Masat e sigurisë u ekzekutuan paraditen e kësaj të hëne.

Tv Klan