Në 176 faqe, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur të gjitha hetimet e kryera deri më tani ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, deputetes Monika Kryemadhi dhe dy personave të tyre të afërt. Nga verifikimet e kryera, SPAK thotë se është vërtetuar korrupsion, pastrim parash dhe mos deklarim pasurie në disa raste. Së pari, për marrëveshjen e CEZ me DIA.
“Në një vendim prej 176 faqesh me të cilën Gjykata e Posaçme vendosi të lëshojë masën e sigurisë arrest me burg për Ilir Metën, atë të detyrim paraqitjes për Monika Kryemadhin dhe dy masa të tjera për njerëz të afërm të tre. Argumentohet se në bazë të disa dëshmive, komunikimeve telefonike, por edhe verifikimeve në transaksionet bankare të kryera nga çifti Meta-Kryemadhi ka rezultuar se ata janë përfshirë në disa raste në korrupsion, pastrim parash dhe mos deklarim pasurie. Konkretisht për çështjen e CEZ-DIA. Kjo çështje e nisur në vitin 2019, Prokuroria e Posaçme thotë se pavarësisht dëshmive të vetë Ilir Metës dhe shtetasit Kastriot Ismailaj i cili ka qenë administrator i kompanisë DIA që përfitoi marrëveshjen për të mbledhur borxhet e CEZ disa vite më parë. Ata kanë mohuar të kenë pasur marrëdhënie të afërta apo udhëtime bashkë. Megjithatë konfirmohet marrëdhënia e tyre e ngushtë dhe udhëtimi i tyre drejt Çekisë atje ku SPAK ka dyshimet se ka nisur marrëveshja e CEZ me DIA është fiktike.”
Gazetarja e Tv Klan Bleona Metushi raporton se në dosje rezultojnë edhe fatura për disa ndërhyrje kirurgjikale. Po ashtu një pagesë prej 400 mijë dollarësh e kryer nga LSI për lobim në SHBA.
“Prokuroria thotë se nga veprimet bankare rezulton edhe një 400 mijë dollarësh i kryer prej LSI për lobime në SHBA që nuk është paguar nga llogaritë bankare të kësaj force politike. Emailet apo mesazhet e gjetura ne telefonin e zonjës Monika Kryemadhi provojnë edhe një marrëveshje me një kompani telefonike. SPAK beson se gjithashtu Kryemadhi nuk ka deklaruar pagesat për disa ndërhyrje kirurgjikale dhe ka bërë deklarim të rremë për blerjen e një apartamenti në Tiranë.”
Gazetarja tregoi edhe se kush e ka vizituar sot Metën te Blloku i Sigurisë.
“Gjatë ditës së sotme Ilir Meta është vizituar nga avokati i tij që e përfaqëson në këtë proces ligjor. Përfaqësues të PL-së kanë qenë në ambientet e Bllokut të Sigurisë për t’i dhënë ujë dhe ushqime të tjeta. Nuk ka arritur të ketë komunikime të tjera.”
Nesër në orën 09:30 pritet seanca në GJKKO për verifikimin e masës së sigurisë ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe dy personave të tjerë.
Tv Klan