Një ditë pasi i caktoi masën detyrim paraqitje, Monika Kryemadhi në një konferencë për mediat hodhi poshtë akuzat duke e cilësuar politik procesin, që sipas saj, erdhi pas denoncimeve të aferës së inceneratorëve.
“Pafytyrësia më e madhe e asaj deklarate të djeshme tregon haptas që kanë qëllim politik”, tha Kryemadhi.
Në shënjestër të akuzave nuk vuri vetëm SPAK-un, por edhe policinë, kur foli për arrestimin e ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta.
“Dy metra të gjatë pa tru në kokë, i veshin dhe kapuç, me kallashnikov dhe kë po kapnin? Kur e kanë kërkuar ata Ilir Metën dhe nuk u ka vajtur ndonjëherë edhe pse i kanë rënë në qafë? Kur u ka thënë Ilir Meta jo atyre? Kush është Ilir Meta që e rrëmbejnë ashtu? Pastaj na del edhe një motërfuck*r që e godet në kokë, por harron që Shqipëria është një fshat i vogël dhe njihen të gjithë”, tha Kryemadhi.
Ndonëse tha se do të respektojë vendimin e SPAK-ut për detyrim paraqitje, Kryemadhi e akuzoi këtë të fundit për publikim të sekretit hetimor. Ajo hodhi poshtë akuzat se ka përdorur 106 mijë euro për operacione estetike, duke thënë se pagesat janë bërë për ndërhyrje shëndetësore për fëmijët, vetë atë dhe ish-bashkëshortin e saj.
“Nxjerr SPAK faturën 1800 të heqjes së një lipome të fëmijës sim? Faturën e heqjes së qafës së mitrës që kisha unë me kancer dhe thotë si operacion? Ka bërë edhe Ilir Meta një operacion shëndetëso në 2013 që nuk e ka paguar Ilir Meta, e kam paguar unë dhe nuk e di Ilir Meta sa ka kushtuar. Nuk kam bërë asnjë operacion plastik se po të kisha bërë s’do kisha turp ta thosha. Të më falë shumë Matilda Makoçi, Gregor Rama dhe Edi Rama. A e ka deklaruar Edi Rama operacionin e fëmijës së vet kur e ka pasur të sëmurë me kancer? Kush e ka paguar, ku e ka bërë, si e ka bërë? A e ka hetuar SPAK këtë gjë?”, tha ajo.
Të gjitha pagesat tha se i ka bërë ajo, duke hequr çdo përgjegjësi nga ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta.
“Ilir Meta nuk ka paguar asnjëherë në jetë të vet asnjë shishe ujë”.
Foli për kërcënime të njerëzve të saj në aeroporte, deri edhe për detyrim të deklarimeve të rremë.
“Mjeku kirurg që ka operuar fëmijën tim, e kanë marrë si kriminel në aeroportin e Rinasit. Personi të cilit mamaja ime i ka blerë shtëpinë me bankë e kanë marrë në aeroport, e kanë kërcënuar dhe i kanë kërkuar që të thotë që më ka dhënë lekët në dorë”.
Poshtë hodhi akuzën e ngritur ndaj Ilir Metës për çështjen CEZ-DIA.
“Kontratën e CEZ-DIA e ka firmosur Dritan Prifti more zotëri, s’e ka firmosur Ilir Meta. Ilir Meta e ka çuar në gjykatë CEZ. Pra Ilir Meta ka qenë kundër. Nuk kanë pasur asgjë dhe e bashkuan me çështjet e mia”.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kur u pyet për një tjetër akuzë, atë të blerjes së një vile nga ana e saj.
“Unë kam dashur të marr një vilë pa dijeninë e Ilir Metës, sepse do bëhej në shkëmbim me dyqanet në pallatin tim, siç është bërë sot shtëpia te Kodra e Diellit. Ambasadori grek i ka thënë Ilir Metës që do jemi komshinj bashkë. Çfarë komshiu i ka thënë ky. Çfarë shpie shkon merr ti pa më pyetur mua dhe nuk e kemi marrë”, u shpreh ajo.
Me Ilir Metën, me të cilin pati një rrugëtim prej më shumë se 3 dekadash, tha se nuk komunikon prej 7 muajsh dhe se nuk ka ndërmend ta vizitojë në burg, ndonëse pohon se divorci ishte gjëja e fundit që kishte menduar.
“Ilir Meta është gjeni politik. Ndoshta në një moshë të re mund ta vrisja veten për Ilir Metën si Romeo me Zhuljetën, por tani e vras veten vetëm për fëmijët e mi”, tha Kryemadhi.
Monika Kryemadhi deklaroi se nuk ka ndërmend të aktivizohet pranë Partisë së Lirisë dhe tha se krahas betejës ligjore do vijojë edhe atë politike, pas akuzave të ngritura nga SPAK-u.
Tv Klan