Reagon presidenca: Mund të betohet edhe në parukeri
Presidenti i Republikës mbrëmë dhe Arta Vorpsi sot ia shtuan dozën e paqartësisë situatës së krijuar me zgjedhjet e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Mëngjesin e të enjtes Vorpsi u paraqit në Gjykatën Kushtetuese, jo më si këshilltare detyrë që e ka mbajtur deri tani, por si anëtarja më e re e kësaj gjykate.
Ajo nuk e ka bërë betimin në Presidencë, siç përcaktohet në Kushtetutë, pasi Presidenti nuk e njeh atë si plotësuese të vakancës që i takon atij.
Teksa Presidenti dekretonte Marsida Xhaferllarin për vendin e saj në këtë gjykatë, Vorpsi noterizoi pranë noteres Miranda Xhemalçe një betim që kishte bërë për të pranuar detyrën në Kushtetuese.
Në deklaratën noteriale, të siguruar nga Tv Klan, ajo e quan veten tashmë anëtare të gjykatës dhe thotë se është betuar në Kushtetutë.
“Unë e nënshkruara Arta Vorpsi, në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese të emëruar, bazuar në vendimin nr 132, datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, botuar në Fletoren Zyrtare si dhe në nenin 8 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur mbi Kushtetutë:
“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
As ora e dorëzimit të deklaratës tek noteri dhe as vendi se ku është bërë betimi nuk figurojnë në deklaratën noteriale. Por noterja Xhemalçe dha detaje se si u krye noterizimi i betimit.
Presidenca reagoi duke thënë se Presidenti nuk ndalon askënd të betohet as te noterja dhe as te parukjerja.
Nga ana tjetër, zyra e Presidentit njoftoi se kreu i shtetit do të organizoje brenda ditës së sotme ceremoninë e betimit për dy anëtarët e zgjedhura nga parlamenti, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji dhe të përzgjedhurën e tij për vakancën e dytë, Marsida Xhaferllarin.
Me këtë lëvizje të Arta Vorpsit dhe të Presidentit të Republikës, për të njëjtin vend, Gjykata Kushtetuese do të ketë dy anëtare, duke e parë veten për herë të parë në histori në një situatë të tillë.
Tv Klan