Partia Socialiste ka zyrtarizuar qëndrimin për zgjedhjet e 28 Qershorit.
Asambleja kombëtare vendosi te mos njohë rezultatin e votimit, pasi e konsideron procesin si të deformuar dhe qeverinë e quan si jo legjitime. Por asambleja e zhvilluar me dyer të mbyllura, vendosi që socialistët të marrin pjese në kuvend, me objektiv zgjedhjet e parakohshme dhe hetim me të gjitha mjetet ligjore të procesit zgjedhor.
Gramoz Ruçi: “Asambleja kombëtare vendosi që, të miratojë rezolutën e propozuar nga kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, zoti Edi Rama me këtë vendim: 1-Të konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit 1 mundësi të humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore standardet demokratike evropiane, si dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke bërë përgjegjës qeverinë e Sali Berishës për një deformim të qëllimshëm të procesit zgjedhor dhe të rezultatit të tij. 2-Të vlerësojë rezultatin e zgjedhjeve të pa pranueshëm si një shprehje e deformuar të vullnetit të zgjedhësve shqiptar nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. 3-Të konsiderojë me legjitimitet thelbësor të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t’i dhënë sovranitet të pa kontestueshëm politik parlamentit dhe mandateve politike legjitime të qeverisjes së vendit. 4-Të distancohet hapur nga çdo rrugë dhe çdo përpjekje për të imponuar partinë socialiste, opozitës në tërësi dhe opinionit publik miratimit të pa kushte të një rezultati zgjedhor që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe të nxis komunikimin intensiv…”
Në këtë asamble u përplasën dy rezoluta, ajo e kryetarit Rama, e miratuar, dhe ajo e mbështetur nga disa anëtarë të kryesisë, të asamblesë dhe një grup deputetesh, që parashikonte ndër të tjera njohjen e humbjes së Partisë Socialiste në votimin e 28 qershorit, e prezantuar nga Ben Blushi.
Ben Blushi: “Jam i kënaqur në fund të ditës që arritëm ta bindim për të mos thënë të imponohemi me logjikë kësaj asambleje trupës drejtuese të partisë deri në kongres që PS në mënyrë kategorike të mos bojkotojë parlamentin. Opozita do jetë në parlament, ky është vendimi i kësaj dite, të gjitha tjerat janë nuanca sepse i vetmi aksion që PS vendosi sot është që të dërgoj grupin ne saj parlamentar në kuvend dhe kjo është një gjë që modestisht më jep një lloj kënaqësie mua dhe atyre që ishin për këtë opsion”…./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro, Menada Zaimi