Drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan, Kimberly Cheatle, ka pranuar dështimin e agjencisë që drejton për të parandaluar tentativën e vrasjes ndaj Donald Trump, ngjarje ku ish-Presidenti mbeti i plagosur lehtë në vesh.
“Ne dështuam”, tha Cheatle duke raportuar në Kongres për ngjarjen e rëndë të dy javëve më parë.
“Tentativa për vrasjen e ish-Presidentit Donald Trump më 13 Korrik është dështimi më i madh operacional prej dekadash për Shërbimin Sekret”, shtoi drejtoresha.
Ajo përballet me thirrjet e republikanëve që kërkojnë dorëheqjen e saj si drejtoreshë e Shërbimit Sekret.
Megjithatë, ajo pohoi se niveli i sigurisë për Donald Trump ishte rritur përpara se të ndodhte episodi i atentatit.
Pyetjeve specifike të republikanëve dhe demokratëve në lidhje me planin e masave të sigurisë për ditën e ngjarjes, drejtoresha e Shërbimit Sekret nuk pranoi që t’u përgjigjej duke thënë se ka një hetim të brendshëm për çështjen.
/tvklan.al