Nga sulmet izraelite në Liban humbën jetën 40 persona në qytetin lindor të Baalbek në luginën Bekaa dhe u shënjestruan periferitë jugore të Bejrutit.
Shumë persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa ushtria izraelite urdhëroi banorët në zonat jugore të evakuohen nga disa vende. Ndërkohë shpërthime të forta u dëgjuan mbi Izraelin verior pasi raketat nga Libani goditën komunitetet atje.
Ushtria izraelite tha se rreth 50 raketa kaluan nga Libani, ndërsa nuk pati raportime për viktima. Sirenat u dëgjuan edhe në Tel Aviv. Hezbollahu njoftoi se qëlloi me raketa edhe një bazë ushtarake pranë aeroportit Ben Gurion.
Sulmet ndodhën pasi lideri i ri i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se nuk besonte se veprimet politike do t’i jepnin fund sulmeve të Izraelit. Megjithatë ai thotë se mund të ketë një rrugë drejt negociatave nëse Izraeli ndalon bombardimet e tij ndaj Libanit.
Përpjekjet diplomatike të SHBA-së për të ndalur luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut, të cilat përfshinin një propozim armëpushimi 60-ditor, dështuan javën e kaluar përpara zgjedhjeve amerikane.
Klan News