Avokatët mbrojtës të Erion Veliajt kanë kundërshtuar argumentet e SPAK në lidhje me hetimin ndaj tij. Ata e cilësojnë procesin të kundërligjshëm dhe keqdashës. Në deklaratën e shpërndarë thuhet se hetimi është iniciuar nga një person anonim dhe me të dhëna të supozuar.

“Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet Erion Veliaj. Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të Erion Veliajt, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Erion Veliaj dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin Mars 2024, por ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit””, thanë avokatët e kryebashkiakut.

Avokatët e Veliajt akuzojnë SPAK për intimidim dhe dhunë agresive ndaj personave që kanë dëshmuar për këtë çështje.

“Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes. Edhe pse Erion Velsiaj dhe Ajola Xoxa janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës”, njoftuan avokatët.

Një tjetër pretendim i avokatëve është se i gjithë hetimi është i qëllimshëm ndaj Veliajt.

“Hetimi duket i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për vetë personin Erion Veliaj, me synimin për ta kapur medoemos në një shkelje, qoftë penale apo administrative”, thanë avokatët.

Avokatët argumentojnë se janë tejkaluar afatet e hetimit ndërsa përsëritën qëndrimin se kontrollet dhe sekuestrimi i telefonave të familjarëve të Veliajt janë të kundërligjshme pasi nuk ka një vendim gjykate.

Klan News