Prindërit janë ata të cilët na japin dashurinë e parë, janë ata të cilët na mësojnë të hedhim hapat e parë, janë ata të cilët na qëndrojnë pranë dhe na udhëheqin. Sapo përmendim emrat e tyre menjëherë mendja të kaplohet nga një mijë kujtime.

Duke u rikthyer pas në kohë të ftuarit në emisionin “Rudina” në Tv Klan këtë pasdite të shtune u ndalën pikërisht tek kujtimet dhe koha e kaluar me prindërit. Teksa ndan foto me ta, poetja Sonila Strakosha tregon për kohët e lumtura të fëmijërisë së saj.

“Mbaj mend që kishim një frigorifer në shkallë, tek shkalla jonë dhe copëtonim atë mishin me mamin, e vendosnim nëpër qese dhe e çonim tek komshinjtë. Sa me nostalgji e kujtojmë ne atë fëmijërinë tonë. Unë e konsideroj veten me fat. Prindërit e mi kanë pasur një harmoni me njëri-tjetrin, një mirëkuptim që ka ndikuar shumë tek ne kur kemi qenë të vegjël. Të ritesh me mirëkuptimin e prindërve është fantastike dhe ndikon në rritje, në zhvillimin dhe mirëkuptimin tonë. Mami im ka punuar në Bibliotekën Kombëtare dhe në kohën kur ka qenë mami im në punë të gjithë personalitet shkonin aty dhe unë rastis që i takoj dhe shikoj vlerësimin që kanë për mamin time dhe them me veten ‘çfarë dua më shumë,’ unë jam krenare për mamin dhe babin. Të gjithë do të ikim një ditë, të gjithë do të dalim në pension, por lëmë diçka pas, lëmë kujtimin. Jam me fat që i kam prindërit pranë dhe është një pasuri,” u shpreh Sonila Strakosha.

E emocionuar dhe shumë e prekur  poetja rrëfen në studio dhe raportin që ka me të atin. Për Sonilën ai ka qenë padyshim mentori dhe mbështetja më e madhe. Por, vjen një moment kur gjërat ndryshojnë dhe rolet ndërrohen. Sot babai i saj vuan nga alzheimeri, që një sëmundje fatkeqësisht e pashërueshme dhe që shkakton humbje të kujtesës. “Është e rëndë për një fëmijë që të shkojë në shtëpi dhe prindi të mos e njohë,” tha Sonila Strakosha, teksa tregon sfidën me këtë situatë të vështirë.

Sonila Strakosha: E kujtoj babin tim si mësuesin, mentorin dhe udhëheqësin tim, sot ai është babai im, por në një tjetër formë jam unë që e udhëheq sepse ai vuan nga alzheimerin dhe është shumë e rëndë për një fëmijë që të shkojë në shtëpi dhe prindi të mos e njohë. Babi im nuk më njeh më. Megjithatë duhet folur sepse ka shumë njerëz sot që përballen me këtë situatë dhe mbase e ndjejnë dhe e shohin veten në vendin tim. Jeta na përballi me këtë gjë, shumë e vështirë është dhe për mamin që është një grua shumë e fortë. Ka momente që babi është i kthjellët është një 5 minutësh, kujtesën e shkurtër nuk e ka, por ka kujtesën afatgjatë. I vendos ato këngët italiane dhe ai preket, nuk është më i çorientuar, por fillojnë dhe i dalin lotë, kujton kohën e tij dhe fillon kthjellohet. “Ahh si mblidhesha unë me shokët, kërcenim në shtëpi,” ose “Ahh Sonila po ti ku punon,” dhe më thërret emrin. Për mua momenti kur babi më thërret emrin është pasuri, mundohem t’i marr këto gjëra jetës në moment dhe këto janë momente të bukura në kuptimin e jetës dhe në lidhjen time me babin./tvklan.al