Barcelona e ka nisur kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë shtatë fitore në shtatë ndeshjet e para.

Trajneri Hansi Flick, i ka mahnitur të gjithë me rezultatet e arritura dhe synon një tjetër sukses.

Katalanasit përballen këtë të shtunë me Osasunën në shtëpi, në një ndeshje që do të jetë e veçantë për trajnerin Flick.

Gjermani, synon të barazojë rekordin me tetë fitore, në tetë ndeshjet e para, që mbahet nga Tata Martino.

Argjentinasi është i vetmi që ka arritur tetë fitore radhazi në ndeshjet e para të kampionatit dhe Flick synon ta arrijë.

Me fitoren ndaj Getafe-s, Flick barazoi Ernesto Valverden, që kishte marrë shtatë fitore në startin e kampionatit, ndërsa tani ka një tjetër objektiv.

Një sukses ndaj Osasunës, do të ishte i rëndësishëm për Barcelonën, për të blinduar vendin e parë në renditje, të cilin e mban nga javët e para. /tvklan.al