Barcelona është duke punuar që të firmosë me Muhamed Salah në verë, ku egjiptianit t’i përfundojë kontrata me Liverpulin.

Sulmuesi realizoi rrjetën e fitores në takimin ndaj Brighton dhe postoi në rrjetin X mesazhin: Pavarësisht se çfarë ndodh, unë kurrë nuk do ta harroj se si ndihet të shënosh në Anfield.

Për shumë tifozë, ky reagim u mor si një aludim për një largim të mundshëm të 32-vjeçarit në verë.

Palët edhe pse kanë folur për rinovim, duket se janë larg akordit.

Sipas mediave spanjolle, Barcelona mund të hyjë në garë për të nënshkruar me egjiptianin, pasi më parë ishte përpjekur ta merrte atë në 2022.

Sipas Sport, Salah është gati që të nisë një kapitull të ri të karrierës së tij te blaugranat, pasi atij i pëlqen projekti i klubit.

Prioriteti numër 1 i Barcelonës është sulmuesi i krahut i Athletic Bilbaos, Nico Williams, megjithatë Salah është shtuar në listë, nëse ata nuk arrijnë të firmosim me lojtarin e kombëtares spanjolle.

Kur në stolin e katalanasve ishte Çavi, ai sugjeroi Salah si lojtarin që do ta shtonte edhe më shumë potencialin ofensiv të ekipit.

Dhe duket se drejtuesit nuk kanë ndryshuar mendje sa i përket kapitenit të Egjiptit. Që kur u bë pjesë e Liverpoolit në vitin 2017, Salah ka shënuar 220 gola në 364 ndeshje. Ai ka fituar Premier League, Champions League, FA Cup dhe dy Kupa të Ligës.

Klan News