Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar në Parlament se fuksionari shtetëror i një institucioni në vend i ka dërguar kreut të SPAK Altin Dumani një mesazh privat për të mbyllur dosjen “Xibraka”.
Bardhi ia drejtoi këtë pyetje vetë kreut të SPAK, i cili ishte në Kuvend duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve pasi prezantoi raportin vjetor të institucionit.
Në fjalën e tij, Altin Dumani tha se çështja Xibraka është nën hetim dhe nuk mund të japë asnjë informacion. Sa i përket mesazhit privat, drejtuesi i SPAK u shpreh se as nuk merr dhe as nuk përcjell mesazhe me askënd.
Gazment Bardhi: Rezulton, sipas informacioneve që disponon grupi parlamentar i PD, se Kryeministri Edi Rama përmes një shtetasi, emrin nuk po e përmend por ju dhe unë e dini fort mirë për këtë bëhet fjalë, një funksionar publik në një nga institucionet e pavarura, i ka përcjellë drejtuesit të SPAK juve, një mesazh privat duke kërkuar që të çështja Xibraka, e rihapur nga SPAK, të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Duke vlerësuar integritetin e drejtuesit të SPAK, dhe duke mos ju kërkuar ju të komentoni veprimin e Kryeministrit se ai është veprim politik e komentojmë ne të tjerët, unë dua ta dëgjoj prej jush përgjigjen që ju i keni përcjellë Kryeministrit të Shqipërisë mbi këtë çështje.
Kreu i SPAK, Altin Dumani: Sa i takon çështjes nuk mund të jap asnjë koment sepse është në hetim. Lidhur me marrëdhënien me Kryeministrin apo me çdo titullar institucioni në Republikën e Shqipërisë, marrëdhëniet e mia si drejtues janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Institucionale kur patjetër institucionet kanë nevojë të bashkëpunojnë dhe proceduriale kur ndonjëri prej tyre është e nevojshme të thirren në cilësinë e deklaruesit, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime apo në cilësinë e të pandehurit. Nuk marr as nuk përcjell asnjë lloj mesazhi, unë ushtroj detyrat e mia në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore. Kjo është marrëdhënia ime që ekziston me të gjithë, pa përjashtin.
/tvklan.al