“Ata që do jenë nesër në qeveri i shihni që tani”
Lulzim Basha thotë se opozita e ka vendosur tashmë se si do të organizohet në koalicione në zgjedhjet e 25 Prillit dhe se formula do të bëhet publike në momentin e duhur.
Në emisionin “Zonë e Lirë”, kreu i opozitës u pyet nëse janë përcaktuar edhe emrat që do të marrin poste drejtuese në rast fitoreje. Basha thotë se janë ata që dalin çdo ditë denoncojnë aferat e qeverisë.
Nisur nga kjo deklaratë e Bashës duket se ekipi i tij në qeveri do të jenë zërat më të shpeshtë të kohëve të fundit në selinë blu si sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi apo ish-deputetët Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, por edhe këshilltari i tij për ekonominë Dorian Teliti.
Dhe një nga vendimet e para që premton si kryeministër, Basha thotë se është anulimi i koncesioneve të inceneratiorëve që i quan afera korruptive të ngritura nga një grup kriminal në qeveri.
Basha është i bindur që me marrjen e detyrës të kthejë taksën e sheshtë në nivelin 9%.Basha thotë se nuk ka shkopin magjik, por një program për të nxjerrë vendin nga kriza financiare.
Tv Klan