Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër me 7 Qershor Presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi, duke ngritur shqetësimin mbi deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në Parlament, se sipas tij ai ka arritur një marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë shqiptare.

Në letrën e tij Basha shkruan se këto qëndrime të Ramës janë mbajtur në Parlament, pas takimit që kanë patur me të më 9 Maj në Strasburg, dy prej ministrave të qeverisë shqiptare.

Sipas kreut të Partisë Demokratike kjo deklaratë e kryeministrit përbën një ndërhyrje dhe ushtrim presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese përpara vendimit, që ajo do të marrë në lidhje me ligjin e ri të pronave.

Në letër Basha nënvizon se në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, nuk parashikohet asnjë rast që njëra prej palëve të arrijë marrëveshje të mundshme me Gjykatën në favor të saj, përpara shqyrtimit të çështjes.

Me anë të kësaj letre Basha thotë se nuk kërkon ta bëjë Gjykatën e Strasburgut pjesë të debatit të brendshëm politik, por e cilëson atë si pjesë e qëndrimeve të Partisë Demokratike kundër presionit të qeverisë Rama ndaj gjykatave në vend, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Tv Klan