Nga Elbasani, në përvjetorin e degës së PD, Lulzim Basha komentoi debatet brenda partive të mazhorancës. Kreu i opozitës tha se Kryeministri Rama po sulmon ministrat brenda qeverisë, që po denoncojnë krimin e veshur me pushtet.
“Kapardiset Kryeministri mbi varfërinë, mjerimin dhe krizën së solli për një popull të tërë. Kapardiset nëpër ekspozita dhe qejfe dhe udhëtime luksoze me lekët e popullit. I izoluar në botën e tij të luksit sulmon opozitën, sulmon mediat, sulmon gazetarët. Fyen dhe shan me arrogancë hajduti çdo qytetar që e ballafaqon me të vërtetat. Tani që ka vajtur aty ku s’mban më, i quan qenër edhe ministrat që guxojnë më në fund të pohojnë atë që opozita dhe qytetarët kanë 3 vjet që denoncojnë me zë të lartë: Krimin e veshur me pushtet. Pushtetin e veshur me krim”.
Lidhur me zgjedhjet e 18 Qershorit, Basha tha se Partia Demokratike ka filluar një proces të hapjes për listën e deputetëve, të cilët do të përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
“Ky proces do të sigurojë që drejtuesit dhe të zgjedhurit e PD-së të jenë përfaqësues të denjë të anëtarëve të PD, dhe qytetarëve dhe të punojnë për interesin publik dhe jo atë privat. Kjo qasje e re do të zbatohet fillimisht me përzgjedhjen e listës së kandidatëve demokratë për deputetë”.
Kreu i opozitës tha se vetting -u këtyre kandidatëve do të përfshijë edhe të shkuarën e tyre gjatë periudhës së komunizmit.
Tv Klan