Në këto kohë të vështira energjetike për të gjithë kontinentin plakë, Bashkimi Evropian është i angazhuar të reduktojë varësinë e naftës dhe gazit nga Rusia.

Kjo e fundit për analistët po tregon shenja dobësie në vazhdën e rënies së çmimit të arit të zi. Ndonëse Moska vazhdon të arkëtojë petrodollarë, klientët e saj evropianë të energjisë po synojnë të gjejnë korridore të reja për të plotësuar nevojat e tyre.

Blloku 27 anëtarësh ka kërkuar së fundmi përshpejtimin e ndërtimit të gazsjellësit Nabuko që duhet të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik drejt Evropës, duke anashkaluar Rusinë.

Sipas përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Pier Morel, nevoja për ndërtim të përshpejtuar të këtij gazsjellësi është paraqitur me luftën mes Gjeorgjisë dhe Rusisë.

Brukseli është fokusuar në bisedimet me kreun e Turkmenistanit një vend shumë i pasur me gaz, me të cilin do të intensifikojë përpjekjet për ndërtimin e Nabukos. Ky gazsjellës do të reduktonte ndejshëm varësinë energjetike të vendeve evropiane nga Rusia. Nëpërmjet Rusisë BE-ja plotëson 1/3 e nevojave të veta për naftë dhe 40% për gaz./tvklan.al