Nga Lezha ku vijoi turin e takimeve me demokratët e këtij qarku, Sali Berisha e sfidoi Kryeministrin Rama duke e ftuar në debat për çështjen e pensioneve.
“Sa rri e flet me veten në makinë, hajde të dalim shesh të burrave, urdhëro në televizion, shpjegoju pensionistëve pse pensioni në Maqedoni është 280 përqind më i lartë se në Shqipëri. Pse pensioni në Kosovë është 30-40 përqind më i lartë se në Shqipëri. Dhe ti lë 16 mln Euro”, tha Berisha.
Pensionistëve dhe familjeve me paga të ulta u premtoi se përmes kartës së konsumatorit do të kompensohen me 450 Euro.
“Do të ketë kartën e konsumatori me të cilën ai do ta marrë mbrapsh TVSH-në me 3 pensione të tjera, apo e barabartë me 450 Euro”, shtoi lideri demokrat.
Sipërmarrjen e paralajmëroi se nuk do ketë më rrogë minimale nën 500 Euro, duke i kujtuar se punëdhënësit do të duhet t’i paguajnë me orë pune.
“Sipërmarrësi është i detyruar të paguajë një minimum për orën e punës, javën e punës dhe muajin e punës, dhe ky minimum në Shqipëri fillimi do të jetë 500 Euro”, shprehet Berisha.
Ulja e çmimit të naftës, energjisë dhe rrugët pa pagesë janë të tjera angazhime që tha se do përmbushë sapo të vijë në pushtet.
“Rrugët kombëtare do të jenë të qeverisë dhe të publikut, nuk do të paguajnë shqiptarët asnjë qindarkë”, theksoi Sali Berisha.
Berisha premtoi edhe mbështetje për fermerët.
“Çdo prodhim bujqësor dhe blegtoral do të subvencionohet për njësi prodhimi”, shton më tej Berisha.
Nga Lezha një mesazh i dha edhe kryebashkuat Ndreu.
“Pjerin i dole zot Erion Veliajt. Ka qenë momenti më i sinqertë i jetës tënde, sepse të dy hajdutë njëlloj jeni, të dy një fat do të keni”, tha Berisha.
Berisha i bëri thirrje lezhianëve që të bashkohen në 11 Maj për të larguar me votë atë që e cilësoi narkoregjim të Edi Ramës.
Tv Klan