Vizitë shumë e suksesshme. Kështu e ka përkufizuar vizitën e tij dyditore në republikën federale të Gjermanisë kryeministri Berisha.
Në mbledhjen e këshillit të ministrave të zhvilluar këtë të premte kreu i ekzekutivit ka njohur anëtarët e kabinetit të tij qeveritar me të gjitha takimet e zhvilluara me krerët më të lartë të shtetit gjerman.
Berisha deklaroi se ka marrë garancinë nga homologia e tij, Merkel, për mbështetjen e qeverisë gjermane për ratifikimin e MSA-së dhe anëtarësimin e plotë të vendit tonë në NATO.
Në konferencën për shtyp që dy kryeministrat patën në Berlin zonja Merkel deklaroi se homologu i saj shqiptar ka ndjekur një kurs kurajoz reformash të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit, për zhvillimin ekonomik si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Gjermania, tha ajo, përherë aty ku ka mundësi do të mbështesë Shqipërinë.
Sali Berisha: “Kancelarja Merkel më siguroi mua se ndihma gjermane për Shqipërinë do të rritet dhe unë kam shumë kënaqësi t’ju informoj se në këtë kuadër rreth 120 milion euro të tjera janë miratuar për projekte shumë të mëdha”.
Berisha deklaroi se mes reformave të shumta të ndërmarra nga qeveria shqiptare ai e ka njohur homologen e tij, Merkel, dhe me nismën e mazhorancës për kufizimin e imunitetit për parlamentarët.
Sali Berisha: “Informova që parlamenti është në bisedime me, në bashkëpunim me opozitën për të kufizuar sipas modelit të tyre. E vlerësoi shumë. Ju tha në këtë mënyrë shembni një mur dhe u ndal tek domosdoshmëria jetike e luftës kundër korrupsionit, vlerësoi arritjet, por kërkoi që të bëhen përpjekje shumë më të mëdha në luftën kundër korrupsionit, sistemin e drejtësisë, në sistemin e prokurorisë dhe në agjenci të tjera”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka