Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se do të falë të gjitha gjobat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm për pensionistët, familjet në nevojë dhe disa kategori të tjera. Po ashtu theksoi se të gjitha gjobat për ndërtimet pa leje të vëna nga qeveria Rama janë të paligjshme dhe ata që i kanë paguar do të dëmshpërblehen nga qeveria demokrate kur të vijë në pushtet.

“Por narko-shteti, narko-diktatura, e cila njeh vetëm vullnetin e padrinos dhe kreut të krimit, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ka vazhduar praktikën antikushtetuese të gjobitjes së qytetarëve dhe tani së fundmi bën sikur po i fal gjobat, në një kohë kur ato kanë qenë të gjitha të paligjshme. Ndaj dënoj këtë mashtrim publik dhe garantoj çdo qytetar që janë gjobitur mbi bazën e atij ligji antikushtetues, nga data e hyrjes në fuqi gjer sot, se ata do të dëmshpërblehen, do u kthehet qindarkë për qindarkë e gjithë shuma e gjobës që kanë paguar. Ftoj çdo qytetar të mos paguajë një qindarkë gjobë antikushtetuese. Sikundër deklaroj se PD do të falë të gjitha gjobat për pensionistët, për familjet në nevojë, për punonjësit me rroga mesatare e poshtë, për familjet me nëna kryefamiljare, për të gjithë familjet në ndihmë ekonomike, në papunësi, do falen të gjitha gjobat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm. Ftoj këto familje të mos paguajnë asnjë qindarkë, pasi këto gjoba do të jenë 100 përqind të falura”, tha Berisha.

Sipas tij, qeveria ka ngritur një sistem gjobëvënës që nuk njeh ligj dhe moral. Për këtë arsye ai theksoi se në 100 ditët e para të qeverisjes së tij do të miratojë këto falje./tvklan.al