Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, Sali Berisha thotë se Kryeministri Rama i ka bërë Erion Veliajt dhuratën më të pazakontë për Vitin e Ri duke i firmosur lejen e azilit politik.
“Ai de facto me deklaratën e tij se, Erion Veliajn po e linçojnë në vendin ku ai është Kryeministër, i firmosi lejen e azilit politik, pothuajse në çdo vend që ai ta kërkojë, pasi linçimi është një akt i dënueshëm dhe meriton mbrojtje kudo që kërkohet”.
Kreu i demokratëve flet për një kërcënim që sipas tij e ka detyruar brenda dy ditëve të ndryshojë mendim për kryebashkiakun e Tiranës.
“Thuhet se Rama mori një ultimatum nga Erion Veliaj, në të cilin i thotë se, ato që bëre ndaj meje do t’i kesh të gjitha në kurriz, por jo vetëm, por së bashku me Lindën dhe familjen. Ky kërcënim detyroi Ramën të bëjë një kthesë prej 180 gradësh dhe të firmosë lejen e azilit politik për njeriun me të cilin ka vjedhur së bashku, qindra e qindra milionë”.
Një ditë më parë gjatë konferëncës së fundvitit me gazetarët, Berisha publikoi biletën e avionit të udhëtimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili disa ditë më parë deklaroi se do kthehej pas dy ditësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që sipas kreut të demokratëve rezulton se do të kthehet në mesin e muajit Janar.
Tv Klan