Dy binjake të lindura më shumë se tre muaj larg njëra-tjetrës, në vite të ndryshme, janë konsideruar si një ‘sensacion mjekësor’. Bëhet fjalë për një rast që mjekët besojnë se ka ndodhur për herë të parë.

Liana erdhi në jetë para kohe, më 17 Nëntor të vitit të shkuar, kur nëna e saj Oxana nga Kolonja e Gjermanisë ishte vetëm 26 javëshe shtatzënë. Më 22 Shkurt, Oxana solli në jetë edhe Leonie, 4 ditë pasi parashikohej të lindte.

Liana e vogël peshonte vetëm 900 gramë kur lindi para kohe.

“Pas lindjes së binjakes së parë, qafa e mitrës u mbyll përsëri dhe motra e saj mbeti në mitër”,

tha një zëdhënës i spitalit. Teksa dhimbjet e lindjes pushuan, mjekët vendosën që Oxana mund ta mbante beben e dytë ende në bark dhe të lindte kur të vinte koha.

“Kushtet ishin shumë të mira gjithashtu për shkak të placentës së dytë dhe ne donim të provonim që fëmija të rritej sa më shumë të ishte e mundur në mitër”,

shpjegoi shefi i maternitetit, Dr. Uwe Schellenberger.

Leonie lindi me një diferencë totale prej 97 ditësh me motrën e saj Liana dhe peshonte 3.7 kilogramë kur lindi.

Dr. Schellenberger shtoi se ky ishte një rast i rrallë për maternitetin e tyre, megjithatë ai tregoi se nuk ishte hera e parë që binjakët lindnin në ditë të ndryshme në spitalin Holweide. Por diferenca prej 97 ditësh sipas mjekut ishte unike për ta dhe speciale për botën.

Mediat lokale i përshkruajtën lindjet si “sensacion mjekësor” dhe sipas spitalit, ky mund të jetë edhe një rekord botëror.

“Një rast i tillë është shumë i rrallë botërisht. Sipas kërkimeve tona, në 2012, në Irlandë lindën dy binjakë me një diferencë prej 87 ditësh nga njëri-tjetri”,

tha një zëdhënës i spitalit.

/tvklan.al