Nuk është aspak e habitshme, përveçse e pritshme! Me ecurinë e zhvillimit ekonomik global, teknologjia e informacionit dhe Inteligjenca Artificiale do të jenë profesionet më të kërkuara dhe të paguara deri në vitin 2030. Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë ka publikuar së fundmi një raport studimor i cili ofron një pasqyrë të qartë për të ardhmen e tregut të punës. Lidhur me këtë raport diskuton paneli i të ftuarve në “Rudina” në Tv Klan. Të ftuarit diskutojnë sa i takon 15 profesioneve që pritet të kenë një rritje deri në vitin 2030.
Raporti parashikohet që në të ardhmen, që nga viti 2025 e deri në vitin 2030, disa prej profesionet të jenë të dominuara nga fushat e teknologjisë së informacionit. Studimi i publikuar më 8 Janar 2025, analizon trendet dhe ndryshimet që do të ndodhin në tregun e punës deri në vitin 2030.
Inxhinierët e softuereve, programuesit, analistët e të dhënave dhe specialistët në fushën e IT do të dominojnë tregun e punës. Nga ana tjetër do të ketë profesione të cilat do të pësojnë një rënie të kërkesës. Këtu përfshihen profesionet tradicionale si asistentët administrativë, sekretarët e arshivistët, nëpunësit në zyra postare dhe shoferët.
![Lista e punëve më të kërkuara deri në 2030-n.](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/Lista-e-puneve-me-te-kerkuara-per-2030-n-1024x575.jpg)
Tendencat e reja globale synojnë që të krijojnë 170 milionë vende pune deri në vitin 2030. Ndërkohë që do të zëvendësohen 92 milionë të tjera. Deri në vitin 2030 ndërprerja e vendeve të punës do të arrijë deri në 22%. Ky studim do të jetë një udhërrëfyes për të zgjedhur profesionin e të ardhmes dhe do iu vijë në ndihmë të gjithë atyre që janë në hapat e para të fillimit të karrierës së tyre profesionale, aq më tepër nxënësve parauniversitarë./tvklan.al