Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Emri i marinsit Ervin Dervishi qëndron sot në altarin më të lartë të “Dëshmorit të Atdheut”. Kjo ishte dhe ceremonia që u bë me këtë rast në brigadën e trupave komando në brigadën e Zall-Herrit. Disa nga trupat tona komando që morën pjesë në misionin paqeruajtës në Irak, kanë pasur rastin që të takohen me Ervin Dervishin.
Oficeri:- “Aty e kemi takuam dhe tha, ku jeni o çuna, ua faltë Zoti shpirtin, më ka marrë babi në telefon tha, takoji çunat tuaj dhe bashkohu me ta, rrini gjithmonë grup. Këto ishin fjalët që ai foli me ne dhe a ka mundësi tha, të më jepni diçka nga ju? Unë i dhashë flamurin që mbajnë komandot shqiptare në krahun e majtë dhe një tjetër i dha skemën komando, që përfaqësojmë ne”.
Më pas, ushtarakë të lartë shqiptarë dhe amerikanë, i dhanë flamujt kombëtar të dy kombeve tona, si dhe i dorëzuan titullin e lartë “Dëshmori i Atdheut”, të afërmve të dëshmorit. Në fjalën e tij ambasadori amerikan James Jeffrey u shpreh kështu:
James Jeffrey:- “Ju mund të ndiheni krenar sot për këtë bir të këtij vendi, ashtu si dhe ne jemi krenar për të”.
Po ashtu në këtë ceremoni ishte i pranishëm dhe Ministri ynë i Mbrojtjes Pandeli Majko.
Pandeli Majko:- “Jemi të gjithë bashkë në këtë ceremoni nderimi për t’u përulur me respekt përpara kujtimit të djalit tim shqiptar, që dha jetën në Irakun e largët, duke luftuar për paqen, për sigurinë, duke luftuar në emër të lirisë”.
Tashmë Shqipëria ka një dëshmor më shumë, i cili luftoi nën flamurin amerikan në front dhe me flamurin shqiptar në zemër. Ai është Ervin Dervishi./tvklan.al