Pasditen e sotme në programin “Rudina” ishte e ftuar Juliana Pasha. Ajo ka treguar për fëmijërinë e saj në Burrel.
Këngëtarja rrëfeu edhe një nga kujtimet e veçanta të fëmijërisë së saj.
Juliana Pasha: Unë kam nostalgji për fëmijërinë, më shumë djalë sesa vajzë, kam qenë shumë aktive, shumë e qeshur. Fëmijërinë e kam kaluar në qytetin tim në Burrel deri në moshën 14-vjeçare. Koha jonë, vitet ’80-’90 kanë qenë shumë të bukura, lojëra, aktivitete pafund, aty kam nisur rrugëtimin e këngës në Shtëpinë e Pionerit kam bërë provën për veshin ritmik. Aty kam mësuar të luaj mandolinën, fëmijëria ka qenë e plotësuar me shumë gjëra.
Rudina Magjistari: Cili ka qenë kujtimi i parë që të vjen nga fëmijëria?
Juliana Pasha: Një nga gjërat më të veçanta që bëja si fëmijë ishte se kur dilnin “Këngët e Festivalit” uleshim familjarisht, mami dhe babi e dinin që mua më pëlqente t’i mësoja shumë shpejt këngët, me laps e letër të dy dëgjonin këngët dhe shkruanin tekstin që unë ta kisha gati. Bashkë me shokët dhe shoqet organizoja një minifestival në lagje. Nuk kam menduar asnjëherë për asgjë tjetër veç muzikës.
Në vitin 1998-të Juliana ka dalë për herë të parë në festival, pas kalimit të disa fazave për t’u ngjitur në atë skenë, këndimi me një orkestër, emocionet e pafundme dhe takimi me artistët që i kishte ëndërruar si Irma Libohova, Manjola Nallbani, Ardit Gjebrea etj.
Ajo tregon se ka qarë shumë kur ka dalë në festival vetëm se kishte prerë flokët. Kuratore e imazhit për Julianën në fillimet e saj ka qenë e ëma, ndërsa tani është kunata e saj. /tvklan.al