Shtatë ndeshjet e Champions League, për raundin e katërt, prodhuan rezultate surprizë dhe emocione të mëdha. 

Milani triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Real Madrid në transfertë. Sukses i rëndësishëm i italianëve, që iu falën golave të Thiaw, Morata dhe Reijnders. Golin e vetëm për spanjollët e shënoi Vinicius me penallti. 

Nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 Juventusi ndaj Lille. David shënoi për francezët, pas asistit të Zhegrovës, ndërsa Vlahovic barazoi për italianët. 

Liverpool shkatërroi 4-0 skuadrën e Leverkusen, falë tripletës së Diaz dhe golit të Gakpo. 

Manchester City u turpërua nga Sporting Lisbona, ku u mposht 4-1. Shkëlqeu sulmuesi i momentit, Gyokeres i cili shënoi tre gola. 

Në ndeshjet e tjera, Dortmund fitoi minimalisht ndaj Sturm Graz. Me të njëjtin rezultat triumfoi edhe Monaco ndaj Bologna-s. Celtic triumfoi 3-1 ndaj Leipzig. /tvklan.al