E ftuar në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan endokrinologia Megi Lekbello tha se femrat janë 10 herë më të rrezikuara nga sëmundjet e tiroideve. Ajo sqaroi se hormonet e tiroideve ndikojnë gjithashtu në çrregullimet e ciklit menstrual. Megi Lekbello tha se kur kemi mungesë të hormoneve të tiroides cikli menstrual është i shpeshtë. Kurse, kur kemi mbiprodhim të hormonit të tiroides cikli bëhet më i rrallë.
“Hormonet e tiroides janë shumë të rëndësishme dhe për një cikël menstrual të rregullt. Kur ne kemi mungesë të hormoneve të tiroides cikli jonë menstrual është i shpeshtë, mund të qëllojë që të kemi 2 cikle në muaj dhe me fluks shumë të shtuar. Kur ne kemi mbiprodhim të hormonit të tiroides cikli bëhet i çrregullt në kuptimin më i rrallë, jo më i shpeshtë. Ne këtë e korrigjojmë duke rregulluar hormonet, atëherë tiroidet funksionojnë në rregull dhe çdo gjë është në rregull. E njëjta gjë ndodh dhe me personat që kanë hequr tiroidet.”
Megi Lekbello sqaroi gjithashtu se si ndikon niveli i ulët, i lartë apo heqja e tiroideve në fertilitet tek femrat.
“Nëse ne kemi hequr tiroidet marrim një tabletë që zëvendëson hormonin e tiroides dhe arrijmë që t’i matim pastaj nivelin e hormonit, që prodhon truri për të komanduar tiroiden për të parë nëse po marrim apo jo dozën e duhur të mjekimit. Nëse mjekimi është në dozën e duhur na dalin hormonet në rregull dhe nuk ndikon fare pastaj në fertilitet.”
Për gratë shtatzëna endokrinologia tha se duhet të tregohen shumë të kujdesshme sa i përket nivelit të hormoneve të tiroideve. Pasi gjatë shtatzënisë foshnja ushqehet nga hormonet tiroide të nënës dhe këto hormone kanë një ndikim kyç në zhvillimin e trurit të të voglit.
“Doja të thoja dhe disa gjëra në lidhje me shtatzëninë. Shtatzënia është një periudhë shumë e rëndësishme. Pasi të paktën 3 muajt e parë të shtatzënisë me hormonet e nënës të tiroides, ushqehet ose furnizohet bebi. Kjo ndikon në zhvillimin e trurit të bebit. Prandaj të gjitha gratë që zbulojnë se janë shtatzënë duhet të bëjnë një kontroll të tiroideve. Të matin nivelin e hormoneve të tiroides, në rast se kanë mungesë ta zëvendësojnë që bebi të zhvillohet normalisht. Dhe për gratë të cilat kanë një funksion normal të tiroides, shtatzënia është një periudhë që kërkon shumë jod, kërkon 50% më shumë jod se sa nevojat e një femre tjetër. Prandaj gratë që janë shtatzëna janë të rrezikuara për të bërë mungesë jodi. Kjo është arsyeja që në ato multivitaminat që jepen në shtatzëni gjithmonë janë të pasura me jod.”/tvklan.al