Të mërkurën mediat spanjolle kanë publikuar supozime interesante për rolin e Thiago Alcântara-s tek skuadra e Barcelonës.

Disa ditë më parë Alcântara dha lajmin se do të tërhiqej nga futbolli i luajtur dhe njoftoi se do të bashkëpunonte me ish-klubin e tij si pjesë e stafit.

Trajneri i ri i Barcelonës, Hansi Flick, kërkoi personalisht Alcantara-n në stafin e tij, pasi mbeti i impresionuar plotësisht nga 33-vjeçari gjatë kohës kur e kishte lojtar tek Bayern Munich.

Flick është e kuptueshme që dëshiron të krijojë një lidhje të fortë me lojtarët e tij në rastin më të parë, duke përdorur edhe Thiago-n si ”përkthyes” midis tij dhe yjeve të Blaugranës.

Gjithsesi Alcantara ende nuk është shpallur zyrtarisht si pjesë e stafit të Barcelonës dhe hamendësimet për rolin ne tij në skuadër janë konkluduar nga “Diario Sport”.

 “Thiago po luan një rol udhëheqës në jetën e përditshme të ekipit. Lojtari që është stërvitur në La Masia po luan një rol kyç për sa i përket komunikimit mes skuadrës dhe stafit. Ai është shumë i vëmendshëm për të përkthyer udhëzime specifike dhe çdo sqarim nga trajneri gjerman për lojtarët”, – shkruan “Diario Sport”.

/tvklan.al