Të bindur se Gjykata Kushtetuese edhe me vendimin e dytë për mandatin e deputetes Olta Xhaçka është në konflikt me ligjin themeltar të shtetit, socialistët kanë vendosur që t’i drejtohen për opinion Komisionit të Venecias. Për kreun e grupit parlamentar Bledi Çuçi, togat e zeza të Kushtetueses nuk mund t’i imponojnë votën deputetit, pasi kjo e fundit sipas tij është e pavarur dhe mbrohet nga ligji themeltar i shtetit.
“Në asnjë rast nuk mund të imponosh deputetin mënyrën si të votojë. Ky është qëndrimi jonë. Le të vijmë tek Gjykata Kushtetuese. Nëse ka një debat për këtë, a është e drejtë kjo që them unë dhe citimi që i bëj drejtpërdrejt Kushtetutës apo jo, ne kemi vendosur që ta zgjidhim këtë ngërç të krijuar me Gjykatën Kushtetuese që t’i kërkojmë një interpretim ose opinion Komisionit të Venecias duke i thënë që nëse mundet një institucion tjetër joparlamentar, qoftë kjo gjykatë Kushtetuese të imponojë vullnetin e një deputeti në mënyrën si duhet të votojë apo jo? Besoj që është një debat kushtetues që duhet të marrim një interpretim”.
I pyetur nëse ka nisur një hetim ndaj deputetit socialist Plarent Ndreca, Çuçi pranoi se ky i fundit është thirrur nga SPAK-u, por mohoi që të ketë një kërkesë nga ana e kësaj strukture në Kuvend lidhur me të.
“Zoti Ndreca ka qenë në SPAK, të tjerat janë marrëdhënie të zotit Ndreca me SPAK. Mund të them se nuk ka asnjë kërkesë nga SPAK në lidhje me deputetin Ndreca. Këtë jua konfirmoj.”
Përgjigje i dha edhe akuzave për Kryebashkiakun Veliaj, të cilin e renditi edhe më lart se kryeministri Rama, kur bëhet fjalë për qeverisjen e kryeqytetit.
“Erion Veliaj është kryetari i bashkisë me i suksesshëm që ka pasur Tirana dhe PS në këto vite. Transformimi historik i Tiranës është një realitet që nuk mund ta bëjë pis asnjëlloj balte që mund të hidhet mbi figurën e kryetarit. Ne jemi të nderuar që kemi zgjedhur nga gjiri i jonë apo nga pjesa jonë një kryetar bashkie që nderon jo vetëm Tiranë po përtej Shqipërisë, çdo socialist apo çdo tirons, me vepra dhe jo me fjalë. Çështjet e tjera janë çështje që lidhen me sektorët ligjzbatues. Grupi i PS i jep mbështetjen absolute Veliajt.”
Në mbyllje të sesionit parlamentar, Çuçi konfirmoi dakordësinë e arritur mes palëve për Kodin Zgjedhor, ku do të adresohen dy vendimet e kushtetueses; ai për votën e diasporës dhe herësi për shpërndarjen e mandateve.
“Kushti i vetëm është që të ketë adresë aty ku jeton apo banon. Këtu kemi konsensus me opozitën, mjafton të ketë një adresë është apo jo rezident. Do votohet me postë, postën shqiptare ose me ndonjë postë tjetër si ta vendosë KQZ. Kjo është e rëndësishme sepse duhet të dërgohet zarfi. Mënyra si do numërohet vota është e qartë, do numërohet aty ku ka rezidencën në Shqipëri, shtetasi shqiptar. Për listën ka pasur diskutime me qëllime për arritjen e konsensusit për të adresuar vendimin e GJK. Të gjitha do shkojnë drejt një formule që garanton qartë formulën që ka Kushtetuta.”
Pavarësisht votës që opozita pritet të japë në Kuvend të premten, demokratët e cilësojnë të paplotë reformën zgjedhore pa rikthimin tek marrëveshja e 5 qershorit, por Bledi Çuçi ripërsëriti se vendimi i 2020-ës, që hoqi koalicionet parazgjedhore është një kapitull i mbyllur për mazhorancën socialiste.
Tv Klan