Pavarësisht se krenohet me një vijë bregdetare prej 316 km, Shqipëria mbetet një thesar sekret për shumë pushues të huaj. Nëse vendet elitare në turizëm si Spanja, Greqia dhe Italia po punojnë për të kufizuar numrin e turistëve, vendi ynë është duke u fokusuar në tërheqjen e sa më shumë udhëtarëve, shkruan gazeta britanike “Daily Express”.
Objektivi i qeverisë shqiptare është të tërheqë 14 milionë turistë, pra një rritje prej 4 milionësh nga 10 milionë vizitorë që ishin në vitin 2023. Për t’u bërë një destinacion edhe më tërheqës, Shqipëria po ndërton gjithashtu një aeroport të ri, atë të Vlorës.
Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do t’u japë padyshim turistëve një arsye tjetër për të vizituar rivierën tonë, pasi do të reduktojë ndjeshëm kohën e udhëtimit për turistët. Vendi ynë është ideal për udhëtarët që nuk duan të shpenzojnë shumë pasi fluturimet nga Londra në Tiranë kushtojnë më pak se 100 £ gjatë pikut të sezonit turistik.
Jo vetëm kaq, por vendi ynë ofron një sërë opsionesh akomodimi me dhoma që fillojnë nisur nga 25 £. Pushuesit që kërkojnë një pikë ndryshe turistike mund të zbulojnë kanionin mbresëlënës të Gjipesë, i vendosur midis Dhërmiut dhe Vunoit. Një tjetër vend që duhet vizituar është Dhërmiu, që ka disa nga plazhet më të njohura dhe më të bukura të vendit tonë.
Në artikull theksohet se nuk duhet lënë pa vizituar edhe Ksamili një perlë e Shqipërisë që është cilësuar si “Maldivet e Evropës” për shkak të popullaritetit në rritje në mediat sociale.
Klan News