Kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur sot për marrëveshjen e 5 Qershorit. Shehi u shpreh se Rama e ka shkelur dhe juridikisht marrëveshjen, por ai gjen dhe shkelje te tjera.
Sipas kreut të LZHK-së, nëse ai me partinë e tij marrin 50 mijë vota në rang kombëtar, nuk arrin të marrë deputet pasi nëse nuk arrihet pragu votat i kalojnë partive të mëdha.
“Edhe juridikisht po ta interpretosh i gjen shkelje. Nga ana pragmatike, Rama merr rishpërndarjen e mandatave. Sikur të dalë më vete LZHK dhe të marrë 50 mijë vota, unë nuk futem në asnjë vend si deputet. Vjen puna që ti nuk merr deputet me 40 mijë vota, këto vota i rishpërndahen partive të mëdha. Nga ana logjike matematikore nuk ka asgjë. Votat rishpërndahen në mënyrë të padrejtë tek dy partitë e mëdha”, thotë ai.
Më tej kreu i LZHK-së u shpreh Rama po tregon para qytetarëve se është i fortë dhe shtoi se ka shumë injorantë që e besojnë dhe do shkojnë ta votojnë.
“Nga ana politike Rama ka dalë tani që t’i japë popullit shqiptarë, i jep një sinjal dhe i thotë që “unë jam i fortë”. Një pjesë e qytetarëve injorantë e besojnë këtë, se thonë ja ky i forti jonë nuk pyet për Evropën. E treta është se Edi Rama nuk e do Evropën, vetëm budallenjtë nuk e kuptojnë”, u shpreh Shehi./tvklan.al