Lajme Arkiva 2003
Dëbora ka mbërritur deri afër Tiranës duke shtruar edhe në malet e Dajtit dhe vargmalet përbri kryeqytetit. Reshjet e dëborës kanë qenë të shumta në 24 orët e fundit në të gjithë vendin kryesisht në pjesën verilindore.
Mesi i janarit, përpos temperaturave të ulëta ka sjellë edhe reshje ndërsa në disa rrethe të pjesës verilindore ngricat kanë tensionuar dhe më tepër situatën. Peshkopia, Burreli, Kukësi dhe Puka janë tashmë në ditët më të ngarkuara nga bora dhe reshjet.
Ndërkohë Ministria e Rendit në një njoftim për shtyp tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve për më shumë kujdes në kalimet në disa nga rrugët nacionale.
Kështu rruga Tiranë- Korçë rekomandohet nga Drejtoria e Qarkullimit rRrugor të lëvizet me kujdes dhe drejtuesit e mjeteve të jenë të pajisur e zinxhir sigurie.
Akset më problematike janë Librazhd-Pogradec dhe Devoll- Ersekë. Ndërsa në veri-lindje ngricat i kanë bërë tejet të vështira kalimet në rrugët Mirditë- Kukës, Vau i Dejës- Pukë dhe Koplik- Vermosh.
Në aksin rrugor Laç- Lezhë, për shkak të ngricës dhe akullit që ka mbuluar asfaltin e rrugës, duhet bërë kujdes në drejtimin e automjeteve si dhe në kufizimet e shpejtësisë gjë që do të çoj në shmangien e aksidenteve të mundshme automobilistike./tvklan.al