Florion Mima: “Qeveria shqiptare e ka vlerësuar me shumë seriozitet situatën në industrinë e fasonit dhe që nga muaji Shkurt, kur na u bënë prezent shqetësimet e para janë marrë masat e mëposhtme. Është miratuar një vendim qeverie i datës 8 Prill, i cili rrit periudhën e sigurimit vetëm për aksidentin në punë për nxënësit në ekonomi. Ishte një nga kërkesat e para të shoqatave të fasoneristëve. Është hequr detyrimi për paraqitjen e deklaratës së importit përsëri me një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të tatimeve dhe e treta dhe më e rëndësishmja është dyfishuar sasia e rimbursimit të dhënë për tre muajt e parë të vitit 2009 krahasuar me 2008-tën. Nga 300 milion ajo ka shkuar në 640 milion lekë. Shifrat e Beqes për gjoja 50 ndërmarrje të mbyllura dhe rreth 11 mijë punëtorë të dalë pa punë janë totalisht të pavërteta. Database-t e sigurimeve shoqërore dhe të administratës tatimore konfirmojnë të kundërtën. Vetëm tre muajt e parë të këtij viti kemi një rritje prej rreth 4 mijë vetash të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu rritje të ndjeshme ka pësuar edhe numri i ndërmarrjeve”./tvklan.al