Dëmtimet godasin Juventusin. Bardhezinjtë do duhet të bëjnë pa dy futbollistë kryesorë në ndeshjet e ardhshme. Madje, për Gleison Bremen rezonanca ka konfirmuar lëndimin që do ta mbajë jashtë fushave për pjesën tjetër të sezonit.
Mbrojtësi kryesor i torinezëve ka pësuar këputje të ligamenteve në gjurin e majtë, në ndeshjen e mesjavës përballë Lajpzig. Siç raporton klubi i Juventusit, braziliani do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim dhe pritet të jetë jashtë fushës për të paktën 6 muaj.
Dhimbje koke për trajnerin Thiago Motta ka shkaktuar edhe Nico Gonzalez. Dëmtimi në kofshën e djathtë mund ta lë jashtë fushave për rreth 20 deri në 30 ditë. E sigurtë do të jetë mungesa në ndeshjen e ardhshme kundër Kaljarit, teksa gjendja fizike do të rivlerësohet pas ndeshjeve të kombëtares.
Lajme vërtetë negative për Juventusin, që po përjeton një moment të mirë në këtë pikë të sezonit. Në 8 takimet e para, bardhezinjtë kanë koleksionuar vetëm rezultate pozitive, me 5 fitore dhe 3 barazime.
Klan News