Deputetet e Partisë Demokratike, Mesila Doda dhe Sokol Olldashi thanë sot gjatë një takimi në Lushnje se zgjedhjet e 28 Qershorit ishin më të mirat sa i takon plotësimit të standardeve demokratike.
Procesi zgjedhor i 28 Qershorit konsiderohet më i vështiri në Lushnje pasi ka pasur ndërhyrje në dy drejtime, u shpreh deputetja Mesila Doda. Njeri ishte klani i Çukos dhe tjetri i Rucit. Duhet të kuptojnë se e kaluara në pushtet nuk ka kthim as me dhunë e as me para.
Mesila Doda: “Keni parë se si eksponentë të shquar të krimit të këtij qyteti, Aldo Bare dhe të gjithë shokët e tij kanë qenë të lidhur kokë e këmbë me eksponentët e djeshëm dhe të sotëm të Partisë Socialiste. Do kishim shumë dëshirë që t’i hetonim dhe t’i hapnim dhe njëherë ato kutitë tona të këtij qarku sepse jemi të bindur se deputeti jonë i 7 është në qark. Kryetari i Partisë Socialiste është njeriu … i cili arrin të shpërndajë dhunën në gratë e tij, në ish gratë e tij, në familjen e tij, në prani të prindërve, të nënës së tij dhe mbi të gjitha gojët e liga thonë q ë ka filluar të përdorë dhunë edhe ndaj deputeteve më të reja të Partisë Socialiste.”
Ndërkohë, Olldashi tha se ndonëse të gjitha organizmat ndërkombëtare i vlerësuan zgjedhjet opozita çdo ditë kërkon të krijojë reaksione .
Sokol Olldashi: “ Vendimet e gjykatës kushtetuese, vendimi 12 dhe vendimi 20 i gjykatës kushtetuese, nuk e lejojnë komisionin hetimor të kuvendit të shqyrtojë kompetencat që janë të organeve të tjera të pavarura nga pushteti legjislativ sikurse janë gjykatat. … që mund të drejtohen zgjedhjet dhe e kemi bërë ofertën për zotin Rama. Do zoti Rama të hetojë zgjedhjet? Të vijë të hetojë, por ato pjesë të proces it të cilat nuk kanë një vendim gjykate që i mbyll përfundimisht. A do të hetojë financimin e Partive se ka ngritur problemin e financimit të partive, të vijë në parlament dhe ta hetojmë.”
Deputetët e Partisë Demokratike ishin në Lushnje në një aktiv për analizën e zgjedhjeve te 28 Qershorit si dhe zgjedhjen e delegatëve për kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike./tvklan.al