Me lule, qirinj dhe lutje shumë personalitete i janë bashkuar homazheve në nder të Kryepeshkopit Anastas Janullatos në katedralen Ngjallja e Krishtit në Tiranë.
Pjesë e homazheve këtë të mërkurë u bënë shumë figura të politikës, por edhe përfaqësues të ambasadave të huaja në vend.
I pranishëm ishte edhe kryegjyshi botëror Bektashian i cili e vlerësoi për bashkëpunimin me të gjitha komunitetet.
“Ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare, sidomos edhe me mua personalisht dhe më vjen keq. Çdo njeri largohet nga kjo botë, po ai largohet me një vepër që ia ka lënë pas Kishës Ortodokse Shqiptare por dhe shqiptarëve. Ngushëllime i uroj Kishës Ortodokse, Zoti e pastë në parajsat e veta”, tha Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Shërbesa e varrimit do të mbahet të enjten në orën 11, pas liturgjisë hyjnore. Në ceremoninë mortore pritet të vijnë klerikë të lartë nga vende të ndryshme të botës, si dhe Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Ajo do të drejtohet nga Mitropoliti i Korçës, Joan Palushi, i cili u vendos nga mbledhja e Sinodit të Shenjtë si kujdestar i Fronit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të varroset në kriptin e katedrales “Ngjallja e Krishtit”.
Klan News