Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Dita e parë e shkollës ka nxjerrë në pah dhe shumë probleme që ka arsimi 8-vjeçar dhe ai i mesëm në Shqipëri. Shumë shkolla edhe këtë vit do të vazhdojnë mësimin me turne, kjo për shkak të rikonstruksionit të godinave.
Një nga këto shkolla është edhe shkolla 8-vjeçare “Edit Durham” në kryeqytet. Vetëm tre ditë përpara fillimit të vitit të ri akademik, kanë nisur punimet për rikonstruktimin e kësaj shkolle. Arsyet përse punimet nuk janë kryer gjatë kohës që fëmijët kanë qenë me pushime janë nga më të ndryshmet.
Mësuesja:- “Mungesë procedurash, çelje fondesh, gjëra të tilla që zakonisht ndodhin këtu tek ne, kjo është arsyeja”.
Një tjetër problem që vihet re është edhe numri i madh i nxënësve nëpër klasa. Në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në çdo klasë numërohen më tepër se 50 nxënës, numër ky që e bënë të vështirë që mësuesi gjatë orës së mësimit të mund t’i kontrollojë të gjithë nxënësit nëse janë të përgatitur ose jo.
Mësuesja:- “Numri është shumë i madh, është 52, 53, 54 nxënës, por megjithatë me një përkushtim të mësuesve, me angazhim të të gjithëve, themi që arrijmë diçka”.
Vetëm dje, ministri i arsimit gjatë konferencës për shtyp deklaroi, se ky vit i gjen shkollat në të gjithë Shqipërinë më se të përgatitura përsa u përket ambienteve për zhvillimin e mësimit në kushte nga më normalet./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka