Veprimet bllokuese të opozitës në Parlament pasditen e së hënës dhe djegien e karrigeve jashtë Kuvendit, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i konsideron të papranueshme dhe paralajmëron se ngjarjen do ta referojnë në SPAK.

Në një njoftim për shtyp ditën e sotme, ministri Hoxha thotë se pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese, goditja me sende të forta dhe shkatërrimi i pronës me zjarr janë kundër ligjit për të cilat Policia e Shtetit dhe Garda po kryejnë veprimet hetimore dhe rastin më pas do ta referojnë në SPAK.

“Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi. Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht.

Pengimi i ushtrimit të fuksioneve kushtetuese; Heqja me dhunë e të drejtës së fjalës; Goditja për shkak të detyrës; Rrezikimi i jetës së deputetëve duke i goditur me mjete të forta; Shkatërrimi me zjarr i pronës publike, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi.

Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit. Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese. Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta, që kanë deputetët”, shprehet ministri i Brendshëm.

Në seancën e pasdites të së hënës, për shkak të dënimit me 1 vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, opozita radikalizoi qëndrimet duke kaluar në bllokimin e seancës.

Në drejtim të kryeparlamentares u hodhën sende të ndryshme, një këmbë karrigeje, si dhe ju pengua me forcë fjala deputetëve të mazhorancës. Ndërkohë që në oborrin jashtë Kuvendit, opozita dogji karriget e sallës së Parlamentit. Deputeti Flamur Noka u përjashtua nga seanca, kurse për pjesën më të madhe të deputetëve të tjerë opozitarë, nga mazhoranca është kërkuar që ndaj tyre të merret masë disiplinore.

/tvklan.al